Calendar

  CP by PSD TO HTML

Në mbledhjen e tij të VII (shtatë) për këtë vit, të mbajtur me 15 tetor 2018, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka aprovuar tarifat për vitin rregullativ 2018 të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT) dhe tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të Shpërndarjes (OSSH). Këto tarifa reflektojnë të Hyrat e Lejuara Maksimale, të këtyre dy operatorëve, të aprovuara nga Bordi në mbledhjen paraprake.

Gjithashtu Bordi ka aprovuar edhe të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) për Furnizuesin Shërbimit Universal (FSHU) për  të cilat për vitin tarifor 2018 do te jenë në vlerë prej 214milion euro. Tarifat përfundimtare që do të aplikohen nga FSHU për konsumatorët e fundit, do të propozohen brenda dy javësh nga FSHU bazuar në MAR-et e lejuara dhe do të aprovohen nga Bordi pas përfundimit të procesit të shqyrtimit.

Në këtë mbledhje gjithashtu është aprovuar edhe faktori i efikasitetit për OST/OT dhe OSSH i cili për periudhën e ardhshme Rregullative 2019 -2022 u vendos të jetë 1.5% për të dy këta operatorë.

Bordi ka aprovuar edhe MAR-in për vitin rregullativ 2018 -2019 për Ndërmarrjen e Ngrohjes Qendrore (NQ) “Termokos” në vlerë prej 6,619,973 euro.
Tarifat e reflektuara nga MAR i NQ Termokos do janë:
•    Për konsumatorët pa matje
-    shtëpiak 0.78 euro/m2
-    komercial/industrial 0.97 euro/m2
•    Për konsumatorët me matje 0.93 euro/KW/muaj për komponentën fikse dhe 38.77 euro/MWh për komponentën variabile.
Përderisa për NQ “Gjakova”, duke marre parasysh se NQ Gjakova e bazon prodhimin e energjisë termike në lëndën djegëse mazut, i cili subvencionohet nga Buxheti i Kosovës, Bordi ka vendosur tarifat të mbesin të njëjta si ne sezonet e kaluara deri në realizimin e projektit të financuar nga Komisioni Evropian për ndërtimin e ngrohtores së re me biomasë.  

Në mbledhje Bordi ka amandamentuar edhe Kodet e Rrjetit dhe Kodin e Matjes të Operatorit të Transmetimit, për ti përshtatur ato me ndryshimet e reja legjislative dhe teknike të sektorit.
Bordi po ashtu ka aprovuar disa kërkesa për modifikim të autorizimeve, nga aplikuesit për ndërtim të kapaciteteve të reja Gjeneruese nga Burimet e Renovueshme të Energjisë (BRE).
Të gjitha vendimet dhe raportet për pikat e aprovuara do të publikohen në faqen elektronike të ZRRE www.ero-ks.org

RocketTheme Joomla Templates