Calendar

  CP by PSD TO HTML

Ditëve të fundit, përmes shkrimeve në media, është proklamuar qëndrimi se “Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk donë të dëgjojë ankesat e konsumatorëve”, si dhe deklarime të tjera që kanë të bëjnë me hapjen e tregut dhe kushtet e krijuara nga ZRRE. Deklarimet e tilla nuk përkojnë aspak me realitetin sepse ZRRE deri më tani e ka dëshmuar se nuk ka zhvilluar asnjë proces rregullativ pa përfshirjen e të gjitha palëve. Të gjitha rregullat e ZRRE, para aprovimit i janë nënshtruar diskutimeve publike dhe janë publikuar në faqen e ZRRE, me qëllim të marrjes së komenteve nga të gjitha palët. Asnjëherë ZRRE nuk ka refuzuar të diskutojë me çdo palë aspektet rregullative, e në veçanti me konsumatorët. Të gjitha grupet e konsumatorëve por edhe konsumatorët individualisht, kanë mundësi , dhe ata e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, për tu takuar me zyrtarët e ZRRE dhe në veçanti me Departamentin për Mbrojtje të Konsumatorëve.  

Sa i përket hapjes së Tregut të Energjisë, ky është një proces i gjatë që është iniciuar vite me parë. Kosova, duke qenë palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është zotuar që të zbatojë direktivat e Bashkimit Evropian të Energjisë, të cilat ndërtojnë një legjislaturë që mbështet Tregun e lirë të sektorit të energjisë. Bordi i ZRRE në mbledhjen e tij të mbajtur më 18 janar 2017, ka aprovuar Udhëzuesin për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë. Udhëzuesi, përveç që shërben si udhërrëfyes për veprimet që do të ndërmerren nga të gjithë akterët drejt funksionalizimit të Tregut të lirë të energjisë elektrike, po ashtu definon mënyrën, kushtet dhe kohën e hapjes së tregut të energjisë elektrike në Kosovë, në nivelin e Prodhimit dhe Furnizimit të energjisë elektrike. Si pasojë e mungesës së konkurrencës efektive, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi ka vendosur që të përcaktojë Obligimet e Shërbimit Publik për furnizues të ofrimit të Shërbimit Universal me energji elektrike. Përderisa me Udhëzuesin për Liberalizimin e tregut, ZRRE ka paraparë fazat e kalimit të konsumatorëve në tregun e lirë, edhe pse vlen të përmendet se bazuar në legjislacionin në fuqi, të gjithë konsumatorët janë të lirë të zgjedhin furnizuesin e tyre. Me këtë qëllim ZRRE deri më tani ka licencuar 7 furnizues, por duke parë mos funksionalizimin e të gjithë këtyre furnizuesve, ZRRE ka zgjatur afatet edhe për një vit, të kalimit të konsumatorëve të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV. Para disa muajsh ZRRE ka njoftuar edhe njëherë këtë grup të konsumatorëve për zhvillimet e ardhshme dhe ka mbajtur shumë takime për të sqaruar mënyrën e furnizimit në një treg të lirë, ku çmimet nuk rregullohen por i nënshtrohen konkurrencës së lirë. 

Sa i përket çështjes së prodhimit të energjisë për vetë-konsum. ZRRE dëshiron të sqarojë se ky aspekt është i rregulluar me Rregullën e Procedurës së Autorizimit për Ndërtimin e Kapaciteteve të Reja nga Burimet e Ripërtritshme të Energjisë, dhe Rregulla për Skemën Mbështetëse, rregulla këto të aprovuar nga Bordi i ZRRE me 27 prill 2017. Këto rregulla kanë për qëllim që të krijojnë kushte për shfrytëzim efiçient dhe me kosto-efektive të energjisë, duke marrë parasysh madhësinë e këtyre gjeneratorëve dhe ndikimin e tyre në sistemin e energjisë dhe në mjedis.

Në kohën kur janë vënë këto rregulla në diskutim publik dhe janë aprovuar nga Bordi, janë marrë për bazë të gjitha vërejtjet e arsyeshme që janë dhënë nga ekspertët dhe nga operatorët e sistemit. Përderisa nga konsumatorët nuk ka pasur ndonjë koment. Vlen të ceket se, aktualisht Kosova është vendi i parë dhe i vetëm në rajon që e ka rregulluar këtë aspekt.  
Pas shprehjes së shqetësimit nga një grup i konsumatorëve, kohëve të fundit, të kyçur në nivelin e tensionit 10kV dhe 35kV, ZRRE do të iniciojë një rishqyrtim të rregullave, i cili rishqyrtim duhet të kalojë nëpër procedurat e parapara të analizimit dhe rishqyrtimit të të gjitha aspekteve teknike dhe rregullative.

RocketTheme Joomla Templates