Calendar

  CP by PSD TO HTML

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe ofrimit të mbështetjes në zhvillimin ekonomik në vend, sot me 29 janar 2019, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Odën e Afarizmit të Kosovës (OAK).
Përmes këtij memorandumi, ZRRE dhe OAK janë pajtuar, që në funksion të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe social të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe të ngritin nivelin e bashkëpunimit reciprok në mes tyre.
Po ashtu ZRRE dhe OAK janë pajtuar që të këmbejnë informacione lidhur me aktivitetet e tyre dhe të bizneseve anëtare. Sipas memorandumit këmbimi i informacioneve do të bëhet në bazë të kërkesave të autorizuara të të dy palëve dhe në pajtim të plotë me ligjet në fuqi.
ZRRE përmes këtij memorandumi, ka theksuar edhe njëherë se do të ketë prioritet përfshirjen e të gjitha palëve, në proceset e shqyrtimeve të planeve zhvillimore të rrjetit të Transmetimit dhe Shpërndarjes si dhe gjatë proceseve të tjera rregullative që janë me interes të përgjithshëm.
Me këtë rast, u.d. i Kryesuesit të Bordit, Z. Arsim Janova, ka siguruar kryetarin e Bordit, Z. Skënder Krasniqi dhe përfaqësuesit e tjerë të OAK, se ZRRE do të vazhdojë të jetë transparente dhe në dispozicion të të gjitha palëve të përfshira në sektorin e energjisë, duke ofruar qasje të barabartë dhe pa diskriminim në proceset rregullative që ajo zhvillon.
ZRRE, përmes këtij memorandumi ka vënë në pah edhe njëherë rolin e saj, si një institucion i pavarur transparent dhe bashkëpunues me të gjitha palët e përfshira dhe të interesuara në sektorin e energjisë.

RocketTheme Joomla Templates