Calendar

  CP by PSD TO HTML

TARIFAT E REJA TË ENERGJISË ELEKTRIKE  PËR KONSUMATORËT SHTËPIAK (AMVISËRI) DO TË MBESIN TË NJËJTA, PËRDERISA ATO TË KONSUMATORËVE INDUSTRIAL, KOMERCIAL DHE PËR NDRIÇIMIN PUBLIK DO TË ZBRESIN PËR 5%

Sot, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e tij të VIII (tetë) për këtë vit, ka marrë vendim për tarifat e energjisë elektrike me pakicë që do të aplikohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU – KESCO). Sipas këtij vendimi tarifat e reja që do të aplikohen nga 1 nëntor 2018, për konsumatorët shtëpiak (amvisëri) do të mbesin të njëjta, përderisa ato të konsumatorëve industrial, komercial dhe për ndriçimin publik do të zbresin për 5%. Këto tarifa janë rezultat  i të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) të aprovuara për operatorët e Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Operatorin e Furnizimit të Shërbimit Universal (KESCO) si dhe  reflektojnë koston e shërbimit të ofruar për grupet përkatëse tarifore.

Tarifat e vendosura do të aplikohen sipas Strukturës tarifore të vendosur në mars të vitit 2017, sipas të cilës tek të gjithë konsumatorët fundorë aplikohen vetëm tarifat ditore – tarifa e lartë dhe e ulët (ditë- natë). Kjo Strukturë tarifore ka për qëllim nxitjen e konsumatorëve për të zhvendosur një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) në kohën jashtë pikut (natën) kur ngarkesa në sistem është më e ulët. Nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 07:00h – 22:00h dhe tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 22:00h – 07:00h. Përderisa nga 1 prill deri me 30 shtator tarifa e lartë do të aplikohet prej orës 08:00h – 23:00h, ndërsa tarifa e ulët do të aplikohet prej orës 23:00h – 08:00h.

Gjithashtu në këtë mbledhje Bordi ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e Rregullave të Tregut, amendamentimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut, amendamentimin e Marrëveshjes për Furnizim me Ngrohje e lidhur në mes të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe NQ “Termokos” Sh.A. dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera të menaxhimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Të gjitha vendimet dhe raportet për pikat e aprovuara do të publikohen në faqen elektronike të ZRRE www.ero-ks.org

RocketTheme Joomla Templates