Calendar

  CP by PSD TO HTML

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), dëshiron të informojë publikun e gjerë se mbrëmë, me 15 tetor 2019, në edicionin e Lajmeve Qendrore të televizionit “Kohavizion”, gjatë transmetimit të kronikës për Hidrocentralet në komunën e Deçanit dhe atë të Shtërpcës, janë transmetuar disa të pavërteta që nuk përkojnë me realitetin dhe dëmtojnë profesionalizmin dhe pavarësinë e Zyrës së Rregullatorit për Energji, si organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Edhe përkundër sqarimeve që i janë dhënë gazetares në lidhje me temën e ngritur, gjatë transmetimit të kronikës janë potencuar dy të pavërteta të cilat ZRRE i demanton fuqishëm dhe sqaron se:
Përkundër që ZRRE ka informuar gazetaren se për hidrocentralet në komunën e Deçanit janë dorëzuar në ZRRE Certifikatat e Përdorimit, të lëshuara nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH), në kronikën e transmetuar është thënë se MAPH nuk ka lëshuar këto Certifikata.
ZRRE njofton publikun e gjerë se në dosjet e këtyre projekteve janë Certifikatat e lëshuara nga MAPH, Leja e përdorimit për HC Lumëbardhi II., ZSP-1072/2019 e datës 23.08.2019 dhe Leja e Përdorimit për HC Belaja dhe HC Deçan ZSP-1220/2019 e datës 20.09.2019.
Po ashtu, sa i përket Hidrocentralit HC Viça, projekti është duke u ndërtuar sipas Lejes Ndërtimore Nr. 351-2425 të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit e lëshuar nga komuna e Shtërpcës, e cila është kompetente për mbikëqyrjen e ndërtimit sipas lejes ndërtimore dhe Ligjit të Ndërtimit.
Disa herë ZRRE ka sqaruar për këtë medium dhe dëshiron të sqarojë edhe për publikun e gjerë se projekti në fjalë posedon të gjitha lejet, pëlqimet dhe vendimet (Pëlqimin Mjedisor dhe Pëlqimin Ujor të lëshuar nga MMPH, Pëlqimin Elektroenergjetik nga KEDS dhe Lejen Ndërtimore nga Komuna e Shtërpcës) që kërkohen me Ligjet në fuqi. Prandaj, është e pa tolerueshme që të dezinformohet se realizimi i këtij projekti mund të ndërpritet nga ZRRE.
Me qëllim të informimit të drejt të publikut, Zyra e Rregullatorit për Energji kërkon nga redaksia e televizionit “Kohavizion” që të transmetoi këtë reagim dhe sqarim në lidhje me kronikën e transmetuar në edicionin e mbrëmshëm të Lajmeve Qendrore.

Komunikata e plotë

RocketTheme Joomla Templates