Calendar

  CP by PSD TO HTML

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), me 18 qershor 2019, ka prezantuar Raportin e Punës për Vitin 2018, para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.
Në emër të Bordit të ZRRE prezantimin e Raportit Vjetor 2018, e ka bërë Z. Arsim Janova, ushtrues Detyre i Kryesuesit të Bordit.
Z. Janova, ka sqaruar për anëtarët e Komisionit se gjatë vitit 2018 përveç sfidave të shumta që ka sektori i energjisë në vend janë arritur edhe suksese. Një ndër to është dhe ZRRE miratimi i 4 rregullave, 6 kodeve dhe 2 procedura ve që kanë të bëjnë me sektorin e energjisë. Po ashtu është raportuar se janë licencuar 4 kompani për kryerjen e aktivitetit të furnizimit, përderisa për marrje të licencës pas ndërtimit të kapaciteteve përmes procedurës së autorizimit kanë aplikuar 4 ndërmarrje, njërës prej tyre i është lëshuar licenca me afat të gjatë kurse për tri të tjerat janë në proces të vlerësimit.
Sa i përket Proceseve të Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, gjatë vitit 2018, ZRRE ka lëshuar 6 autorizime finale dhe 13 autorizime preliminare për ndërtim të kapaciteteve të reja për gjenerim të energjisë elektrike përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ndërsa me autorizime finale në proces janë 3 projekte nga burimet e ujit me kapacitet 11.3 MW dhe 3 projekte nga era me kapacitet 103.5 MW.
ZRRE ka njoftuar edhe për procesin e monitorimit të vazhdueshëm të aktiviteteve në sektorin e energjisë, për të cilin anëtarët e komisionit kanë kërkuar që t’ju dërgohen edhe raportet e Monitorimit.
Në funksion të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, në shtator të vitit 2018, Bordi ka marrë vendimin preliminar për certifikimin e KOSTT-it. Përmes këtij certifikimi, Rregullatori konfirmon se ka ndarje të mjaftueshme të kontrollit mbi OST në raport me  prodhimin dhe furnizimin dhe që KOSTT-i si ndërmarrje e energjisë është në pajtueshmëri me dispozitat e shthurjes, siç  përcaktohet me Direktivën e BE-së për Energji dhe Ligjin e Kosovës për Energji Elektrike. Certifikimi i KOSTT vërteton funksionimin e plotë të kësaj ndërmarrje në përputhje me Direktivat e BE-së për Energjinë, brenda territorit të Republikës së Kosovës. Po ashtu tregun e energjisë në Kosovë do ta bëjë më të besueshëm për investitorët e huaj që janë të interesuar të investojnë në vendin tonë. Në këtë aspekt, sipas udhëzuesit të vitit 2017, ZRRE ka vendosur hapjen e tregut me shumicë,  duke filluar me  gjenerimin dhe pastaj në mënyrë graduale edhe liberalizimin e tregut me pakicë duke e përshtatur me rrethanat e sektorit të energjisë në Kosovë. Derregullimi i çmimeve të energjisë së KEK-ut është bërë në fillim të vitit 2017. Po ashtu hapja e tregut të energjisë elektrike ka filluar në fillim të vitit 2017,  me daljen e konsumatorëve të nivelit të tensionit 220kV dhe 110kV në treg me çmime të parregulluara të furnizimit me energji elektrike, që përbënë rreth 8% të kërkesës për energji. Ndërsa për konsumatorët e kyçur në nivele më të ulëta të tensionit, ZRRE ka raportuar se, ka ngecje në procesin e hapjes së tregut  për shkak se furnizuesit e licencuar, përveç atij të shërbimit universal,  nuk kanë filluar të ushtrojnë funksionet e tyre.
Sa i përket rregullimit të çmimeve, gjatë vitit 2018 Rregullatori ka përfunduar “Shqyrtimin e Dytë Rregullativ” për periudhën rregullative 1 prill 2018 – 31 mars 2023, për të përcaktuar të Hyrat e Lejuara Maksimale të licencuarve: Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorin e Sistemit të Tregut ( OST/OT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes(OSSH- KEDS) dhe për periudhë njëvjeçare për Furnizuesin me Shërbim Universal ( FSHU KESCO) si dhe të licencuarve në sektorin e energjisë termike. Në këtë shqyrtim tarifor shumëvjeçar,  Rregullatori  ka analizuar të dhënat për pesë vitet e kaluara ( 2013 – 2017) dhe parashikimin për pesë vitet e ardhshme ( 2018 – 2022).
Në kuadër të mbrojtjes së konsumatorëve, gjatë periudhës janar – dhjetor 2018, Rregullatori ka zgjidhur 223 ankesa të konsumatorëve, ku përfshihen edhe ankesat të cilat janë kthyer për rishqyrtim tek furnizuesi dhe operatori i sistemit të shpërndarjes. Nga numri i përgjithshëm i ankesave të zgjidhura, 136 prej tyre janë vendosur në favor të konsumatorëve apo shprehur në përqindje 61.26 %, ndërsa 86 ankesa të konsumatorëve apo 38.74 % janë refuzuar si të pabaza.
Sipas të dhënave të ZRRE prodhimi i energjisë elektrike në vitin 2018 ka qenë 5,311 GWh, prej të cilave 5,008 GWh janë nga termocentralet, ndërsa nga HC dhe BRE tjera janë 303 GWh, çka shënon një ngritje të lehtë krahasuar me prodhimin në vitin 2017.
Sa i përket sektorit të energjisë termike, gjatë vitit 2018, ZRRE ka raportuar se situata mbetet kryesisht e pandryshuar. Projekti i kogjenerimit në NQ Termokos ka dhënë rezultate të mira duke ngritur cilësinë e ngrohjes për konsumatorët e kyçur në rrjet, ndërsa Projekti i kogjenerimit në NQ Gjakova është në proces të realizimit. Prodhimi i energjisë termike në vitin 2018, në NQ Termokos ka qenë 224 GWhTh, ndërsa në NQ Gjakova 8,8 GWhTh. Përderisa konsumi i energjisë termike në vitin 2018, në NQ Termokos ka qenë 197 GWhTh, ndërsa në NQ Gjakova 6.6 GWhTh.

ZRRE do të dërgojë Komisionit edhe raportet e veçanta të monitorimit të ndërmarrjeve si dhe sqarime shtesë që kanë kërkuar deputetët.

RocketTheme Joomla Templates