Calendar

  CP by PSD TO HTML

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot një takim konsultativ me përfaqësues të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, për të diskutuar në lidhje me mundësitë dhe obligimet e reja që ofrohen me hapjen (Liberalizimin) e Tregut të energjisë elektrike.

Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutohet në detaje në lidhje me hapat e ndërmarrë deri më tani në hapjen e tregut dhe për të sqaruar veprimet që duhet të ndërmerren nga konsumatorët për kontraktimin e energjisë elektrike në një treg të hapur.
Me këtë rast përfaqësuesit e ZRRE kanë sqaruar se, pas hyrjes në fuqi të pakos së tretë legjislative të energjisë, ZRRE nuk rregullon çmimin e prodhimit/gjenerimit dhe çmimet e furnizimit, përveç çmimeve të furnizimit me shërbim universal. Përderisa tarifat e transmisionit dhe shpërndarjes do të vazhdojnë të rregullohen duke qenë se këto shërbime konsiderohen shërbime të monopolit natyrorë. ZRRE ka njoftuar përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve me mundësinë që i ofrohet secilit konsumatorë për të zgjedhur furnizuesin e tij të energjisë elektrike dhe me kushtin ligjor që ka obliguar për derregullimin e çmimeve.
Në harmoni me ligjet e reja të energjisë, përveç amandamentimit të rregullave, procedurave dhe metodologjive, për të ndihmuar implementimin e kërkesave ligjore, ZRRE ka nxjerrë edhe “Udhëzuesin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë”, përmes të cilit përcaktohet mënyra, kushtet dhe koha e fillimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Deri më tani në tregun e lirë kanë kaluar konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 220 dhe ata në 110kV. Ndërsa në vazhdim sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, “Të drejtën e furnizimit me shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar, dhe jo familjar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë (50) punonjës”. Prandaj sipas dispozitave ligjore të legjislacionit primar dhe udhëzimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët në nivelin e tensionit 35 kV, të cilët i nuk i plotësojnë kriteret sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, do t’i nënshtrohen kushteve dhe çmimeve të tregut për furnizim me energji elektrike më së largu deri më 31 mars 2019. Për konsumatorët e tjerë do të ofrohet çmimi i rregulluar për shërbimin universal të energjisë elektrike..
Megjithatë, edhe përkundër obligimeve ligjore, të drejtën për zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike e kanë të gjithë konsumatorët pa përjashtim. Me këtë qëllim ZRRE tashmë ka licencuar gjithsej 7 furnizues nga të cilët konsumatorët mund të blejnë energjinë e tyre.
Përfaqësuesit e Klubit të prodhuesve kanë ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me funksionimin e tregut të lirë dhe problemet që ata kanë në lidhje me furnizimin me energji elektrike. Me këtë rast ZRRE është munduar të sqaroj rolin e saj rregullativ dhe monitorues në tregun e lirë si dhe obligimin që vazhdon ta ketë për përkujdesje ndaj konsumatorëve edhe në rrethanat e reja të tregut të lirë.
RocketTheme Joomla Templates