Skip to main content
Seanca e VIII 2020

BORDI I RREGULLATORIT KA MBAJTUR SEANCËN E VIII PËR KËTË VIT  

Sot Bordi i Rregullatorit për Energji në seancën e tij të tetë (VIII) për këtë vit ka shqyrtuar të Hyrat e Lejuara Maksimale për Ngrohtoren e Qytetit të Prishtinës “Termokos” Sh.A.  si dhe ka marrë vendim për tarifat e reja të energisë termike të kësaj ndërmarrje.

 Sipas vlerësimit të ZRRE dhe vendimit të sotëm të Bordit të hyrat e lejuara maksimale për NQ “Termokos” për sezonën e ngrohjes 2020 – 2021 do të jenë në vlerë prej 6,960,802 €.  Bazuar në këto të hyra Bordi ka miratuar edhe tarifat e reja për konsumatorët e energjisë termike, të cilat do të jenë të njejta me ato të sezonës së kaluar dhe që janë:

Për konsumatorët me matje tarifa mujore për kapacitetin termik është 0.78 €/kW për muaj dhe për sasinë e furnizuar të energjisë termike 36.25 €/MWh.

Për konsumatorët pa matje tarifat janë të bazuara në sipërfaqen e ngrohjes e cila do të kalkulohet për konsumatorët shtëpiak me 0.76 €/m2 për muaj dhe për konsumatorët komercial me 0.95 €/m2.

Pjesë e shqyrtimit të Bordit ka qenë edhe Raporti monitorimit të ZRRE për Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenc” Sh.A (HC Ujmani). Nga Bordi është kërkuar që ky raport ti dërgohet ndërmarrjes për komentim mbi të gjeturat dhe pastaj të sillet në seancë të Bordit për marrjen e vendimit përfundimtar.

Gjithashtu Bordi sot ka diskutuar në lidhje me kushtin e vendosur në vendimet për licenca të përkohshme të ndërmarrjes “KelkosEnergy” Sh.P.K, të datës 14 tetor 2019 për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme nga Hidrocentralet “Lumbardhi II”, “Deçani” dhe “Belaja”. Për shkak se ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë lejen mjedisore nga Ministria e Ambientit siç është kushtëzuar me vendimet e licencave të përkohëshme, Bordi ka konstatuar se licencave ju ka skaduar afati dhe hidrocentralet në fjalë nuk ju lejohet të operojnë më tutje.

Bordi ka aprovuar po ashtu dy kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve të reja për vet konsum të energjisë elektrike nga panelet solare, në komunën e Pejës dhe Gjakovës, me kapacite prej 8 kW dhe 15 kW.

Si zakonisht në seancat e Bordit, edhe sot, janë shqyrtuar edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit.     

 

Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE publikohen në faqen zyrtare www.ero-ks.org .