Skip to main content
25.11.2022

KOMUNIKATË

Në kuadër të miratimit të Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike të cilat do ti shërbejnë operimit të Bursës se energjisë elektrike në Shqipëri dhe Kosovë, Enti Rregullator i Energjisë mirëpriti sot përfaqësues të Rregullatorit të Kosovës (ZRRE) të cilët zhvilluan një seancë publike të përbashkët me palët e interesit të të dy vendeve, ndër të cilët mund të përmëndim AAES, AK, FTL, KOSTT, KURUM, KESH, KESCO.

Në fjalën e tyre hyrëse Kryetarët e Enteve përkatës, theksuan rëndësinë e këtyre rregullave në vijim të bashkëpunimit dypalësh duke qënë një hap i rëndësishëm për krijimin dhe bashkimin e tregut të energjisë elektrike. Ky proces daton nga qershori i viti 2018 ku operatorët e sistemeve të transmetimit OST, KOSTT dhe ERE dhe ZRRE nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit  për bashkimin e tregut të një dite në avancë dhe asaj të së njëjtës ditë, bashkëpunim ky që do të vazhdojë dhe pas miratimit e rregullave dhe nisjes së operimit të ALPEX. 

Gjatë këtij takimi, Administratori i ALPEX, bëri një përshkrim të përgjithshëm të rregullave të tregut të energjisë elektrike (rregullat e ALPEX përkufizimet, procedura e tregtimit si dhe procedura e klerimit dhe shlyerjes, të propozuara nga ALPEX dhe OST sh.a.). Këto rregulla do të mundësojnë më tej operimin e Bursës.

Më pas u dëgjuan komentet e palëve të interesit të ftuar në këtë takim, i cili do të pasohet dhe nga dëgjesa dhe takime të tjera teknike deri në miratimin e rregullave të sipërpërmendura nga rregullatorët përkatës sërisht në një mbledhje të përbashkët mes rregullatorëve.