Skip to main content
09.03.2023

Më 9 mars 2023, në ambientet e Zyrës së Rregullatorit për Energji, u zhvillua një takim midis Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ky takim kishte për qellim informimin e Asociacionit të Komunave  me situatën në Sektorin e Energjisë Elektrike me fokus të veçantë në planet zhvillimore te Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes KEDS dhe gjetjen e mundësive të reja të bashkëpunimit midis Rregullatorit dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës , duke patur si prioritet sigurinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve dhe përmirësimit të standardeve të shërbimit për konsumatorë përmes shtimit të investimeve ne rrjetin e shpërndarjes.

Në takim u theksua se ZRRE-ja është institucioni i vetëm përgjegjës qe ka autoritetin ligjor për miratimin e planeve zhvillimore për të gjitha veprimtaritë e rregulluara që kryhen nga të licencuarit në sektorin e energjisë elektrike, nga ana e ZRRE-së ndiqet një procedure tejet transparente per miratimin e këtyre planeve zhvillimore, duke u bazuar ne Metodologjitë përkatëse te bazuara ne kosto, konform standardeve dhe parimeve të njohura ekonomike.

Nga ana e ZRRE-së garantohet respektimi i parimeve të  informimit te publikut dhe të transparencës, duke organizuar konsultime publike. Te gjitha  opinionet e shprehura nga palët e ndryshme qe marrin pjesë në ketë proces, analizohen dhe vlerësohen në procesin e vendimmarrjes nga ana e ZRRE-se, konform procedurave dhe rregullave ne fuqi.

Me interes te posaçëm u trajtua edhe çështja e nevojës për dislokim të aseteve energjetike me kërkesë të komunave dhe parashikimit të investimeve në rrjetin e shpërndarjes për periudhën e ardhshme 5 dhe 10 vjeçare. Nga ana e ZRRE-së u theksua se në kuadër te këtij procesi janë trajtuar me kujdes të gjitha investimet e propozuara nga KEDS, që kanë për qëllim zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes, sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe përmbushjen e standardeve të cilësisë se shërbimit.

Nga ana e Z. Agim Aliu ky takim njohës u vlerësua shume i dobishëm, mbasi ai do te ndikoje pozitivisht në rritjen e aktivitetit te tyre në drejtim të përmirësimit te ecurisë së mëtejshme të bashkëpunimit për të gjitha çështjet që ndërlidhen me Komunat e Kosovës.

Se fundi, Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së  theksoi se mbetet i hapur për të analizuar me përgjegjësi çdo propozim, i cili mund te sjelle impakte te ndjeshme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sikundër do te mbroje me konsekuencë, ashtu sikurse e kërkon ligji, interesat e konsumatorit të energjisë elektrike.