Skip to main content

Njoftim për publikimin e Raportit për vlerësimin e konkurrencës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë për vitet 2018-2019

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në seancën e mbajtur me 10 dhjetor 2020, ka miratuar raportin për Vlerësimin e Konkurrencës në Tregun  e Energjisë elektrike në Kosovë për vitet 2018-2019.

Nga të gjeturat e prezantuara në raport dhe rezultatet e përfituara nga anketa e zhvilluar me furnizuesit e licencuar në Kosovë, si dhe në bazë të rezultateve të përfituara nga Indeksi për Matjen e Përqendrimit të Tregut (HHI), Raporti konstaton se përqendrimi në tregun e energjisë me shumicë dhe pakicë është shumë i lartë, që nënkupton se tregu i energjisë në vend për periudhën e analizuar ballafaqohet me mungesë të konkurrencës.

Raporti po ashtu nxjerrë katër rekomandime për adresim të mëtejmë që janë të ndërlidhura me përgjegjësit ligjore ndërmjet Rregullatorit për Energji dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës  (AKK):

  1. Bashkëpunim në mes ZRRE-së dhe AKK për të filluar hetimin që ka të bëjë me respektimin e procedurës për tregtimin e energjisë nga pjesëmarrësit e tregut lidhur me tregtimin e energjisë elektrike;
  2. Duke pasur parasysh se Marrëveshja për Furnizim me Shumicë (MFSH), mundë të ketë ndikim në konkurrencë, dhe sipas kësaj marrëveshje ZRRE nuk është autoritet kompetent për konkurrencë, AKK të filloi një hetim që ka të bëjë me ndikimin e MFSH-së në tregun e energjisë elektrike në vend;
  3. Të intensifikohet largimi i konsumatorëve nga furnizimi me tarifa të rregulluara sipas Udhëzuesit për Liberalizimit të Tregut të Energjisë Elektrike;
  4. Të vazhdohet me krijimin e Mjetit për krahasimin e çmimeve të energjisë elektrike që konsiderohet si një burim i besueshëm për të krahasuar çmimet që do të ofrojnë furnizuesit e energjisë elektrike.


Sipas procedurave të parapara, me 27 gusht Raporti fillimisht është dërguar për komentim tek AKK dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Pastaj me 21 tetor dokumenti është vendosur në diskutim publik, ku të interesuarit kanë mundur të komentojnë deri me 06 Nëntor 2020.
Pas trajtimit të komenteve të palëve (AKK dhe KESCO) është përgatitur versionin final i këtij dokumenti, i cili është aprovuar nga Bordi i ZRRE-së  në  seancën e X  të mbajtur me 10 dhjetor 2020.

Të gjithë të interesuarit, mund të kenë qasje në Raportin e Vlerësimit të Konkurrencës përmes faqes elektronike të ZRRE: Raporti i vlerësimit të konkurrencës në tregun e energjisë elektrike në Kosovë - 2018-2019.