Skip to main content
10.06.2025

ZRRE përfaqësohet në diskutime kyçe për integrimin rajonal të tregut dhe tranzicionin e drejtë energjetik në kuadër të Komunitetit të Energjisë

Përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) morën pjesë në Forumin e Energjisë në tre panele të rëndësishme të organizuara në kuadër të Sekretariatit Komunitetit të Energjisë, ku u diskutuan temat të rëndësishme rreth Paketës së Integrimit të Energjisë Elektrike, tranzicionit të energjisë, si dhe bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike. Në këto sesione, ZRRE u përfaqësua nga z. Ymer Fajzullahu, Kryesues i Bordit të ZRRE-së dhe z. Gani Buçaj, Anëtar i Bordit të ZRRE-së.

Paneli i parë në të cilën morri pjesë Kryesuesi i Bordit të ZRRE trajtoi kompetencat e reja që Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë (ECRB) dhe autoritetet rregullatore kombëtare (NRAs) kanë fituar pas miratimit të Paketës për Integrimin e Energjisë Elektrike. Kryesuesi i Bordi të ZRRE prezantoj në detale kompetencat që kanë Rregullatorët sipas Paketës për Integrimin e Energjisë Elektrike dhe rolin e Rregullatorëve në bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike mes shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë. U theksua se disa nga kompetencat e reja dhënë Rregullatorëve janë miratimi i kornizës rregullative të cilat mundësojnë bashkimin e tregjeve si brenda shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë por edhe shtetet anëtare të BE-së, rishikimin e metodologjive rregullatore për të lehtësuar investimet në rrjetin energjetik dhe për të përkrahur integrimin e burimeve të rinovueshme, si dhe zbatimin e standardeve të integritetit dhe transparencës së tregut (REMIT). Gjatë diskutimeve në panel, Kryesuesi i Bordit të ZRRE ndau përvojën e bashkimit të tregut të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe procesin tjetër i cili është duke u zhvilluar për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Në fund Kryesuesi i Bordit të ZRRE potencoj se për të arritur të realizohen të gjitha këto kompentenca të reja, është më se e domosdoshme që Rregullatorët të jenë të pavarur nga çdo ndikim, vendim marrja e Rregullatorit të e pavarur, si dhe të jenë financiarisht të pavarur.

Në panelin e dytë morri pjesë Anëtari i Bordit të ZRRE z. Gani Buçaj, i cili u fokusua në rëndësinë e garantimit të energjisë së përballueshme për të gjithë konsumatorët fundorë në vendet e Komunitetit të Energjisë, duke mos rrezikuar funksionimin e tregut dhe mbulimin e kostove në zinxhirin e furnizimit. Anëtari i Bordit të ZRRE gjatë prezantimit të tij theksoj se kuadri rregullativ për mbrojtjen dhe fuqizimin e konsumatorëve është përmirësuar dukshëm, por që ende mbetet sfidë për shumicën e shteteve anëtare të Komunitetit të Energjisë zbatimi i plotë i tyre. Anëtari i Bordit të ZRRE ndau edhe përvojën e ZRRE rreth metodologjisë tarifore që përdoret në shtetin tonë, funksionimin e tregut të energjisë, procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si dhe kuadrin ligjor dhe rregullativ në mbrojtjen e konsumatorëve. Anëtari i Bordit të ZRRE në fund theksoi rëndësinë që konsumatorët të mos jenë vetëm përfitues pasivë të tranzicionit energjetik, por të pjesëmarrës aktiv, e kjo përmes vet-prodhimit, efiçiencës së energjisë dhe përfshirjes në tregun e liberalizuar të energjisë.

Në panelin e tretë morri pjesë prapë Anëtari i Bordit të ZRRE z. Gani Buçaj, i cili u fokusua integrimin e burimeve të energjisë së rinovueshme (BRE) si një nga mekanizmat kryesorë për të zvogëluar emetimet e gazrave serë dhe për të mundësuar një tranzicion drejt energjisë së pastër, por që u vu në pah edhe sfidat që kanë operatorët e sistemit në integrimin e BRE-ve. Anëtari i Bordit të ZRRE theksoj se pothuajse të gjitha shtetet anëtare të Komunitetit të Energjisë kanë filluar procesin e transpozimit të direktivave të BE për BRE në legjislacionin e tyre dhe kanë filluar të prezantojnë modele nxitëse të bazuara në treg. Me këtë rast Anëtari i Bordit të ZRRE potencoj se Kosova tanimë ka aprovuar Ligjin për promovimin e përdorimit të BRE-ve dhe i cili ligj ka transpozuar EnC RED II. Anëtari i Bordit të ZRRE ndau përvojën e ZRRE në integrimin e BRE-ve në rrjetin tonë elektroenergjetik, rolin e ZRRE në ankandin e parë solar, i cili ankand rezultoj i suksesshëm, si dhe rolin dhe të arriturat e ZRRE në procesin e vet-konsumatorëve.

Përmes përfaqësimit në këto diskutime, ZRRE rikonfirmon angazhimin e saj për të avancuar reformat drejt një tregu të hapur dhe të integruar energjetik, që garanton mbrojtjen e konsumatorëve dhe përfshirjen e tyre aktive në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe të përballueshme për të gjithë.