Skip to main content
06.11.2026

ZRRE mban takim konsultues për Koncept-Dokumentin për përditësimin e Rregullës për Vetë-Konsumatorët me Burime të Ripërtërishme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur më 5 nëntor 2026 konsultimin me palët e interesit lidhur me Koncept-Dokumentin për përditësimin e Rregullës për Vetë-Konsumatorët me Burime të Ripërtërishme të Energjisë, me qëllim të avancimit të mëtejshëm të kornizës rregullative dhe përafrimit të saj me kërkesat e Ligjit Nr. 08/L-258 për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë. Koncept-Dokumenti është përgatitur nga ZRRE, me mbështetjen e konsulentëve të angazhuar dhe financimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si bazë për një proces të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent të konsultimit me palët e interesit.

Gjatë takimit u prezantua në mënyrë të detajuar përmbajtja dhe drejtimet kryesore të propozuara në Koncept-Dokument. Ndër çështjet e trajtuara ishin ruajtja e pragjeve aktuale të diferencuara të kapacitetit, përcaktimi i kapacitetit të përshtatshëm në përputhje me kapacitetin e kontraktuar të kyçjes dhe kufizimet teknike të rrjetit, trajtimi i energjisë së injektuar në rrjet mbi bazën e çmimit të tregut një ditë para të ALPEX-it, si dhe zgjatja e periudhës së shfrytëzimit të kredisë monetare deri në një vit kalendarik. Dokumenti trajton gjithashtu mekanizma për rikuperimin e kostove të rrjetit, procedura të shkallëzuara të regjistrimit, rregulla për vetë-konsumatorët që veprojnë bashkërisht, masa mbrojtëse për sistemet e ruajtjes së energjisë dhe një kornizë më transparente për menaxhimin e kufizimeve lokale të rrjetit.

ZRRE vlerësoi kontributin e stafit profesional të institucionit dhe Optima Energy Consulting në përgatitjen e Koncept-Dokumentit. Në kuadër të takimit, u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së të gjithë akterëve relevantë dhe të kontributit të tyre në proceset e konsultimit publik dhe u vlerësua se dialogu institucional dhe profesional me palët e interesit përbën një element të rëndësishëm në funksion të ndërtimit dhe përmirësimit të kornizës rregullative, duke mundësuar shqyrtimin e qëndrimeve dhe propozimeve të ndryshme dhe duke kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve rregullative që i shërbejnë interesit të përgjithshëm dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Përfaqësuesit e BERZH-it poashtu vlerësuan lartë bashkëpunimin me ZRRE-në dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes dhe financimit të iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e sektorit energjetik, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e kuadrit rregullativ për energjinë e ripërtërishme. Mbështetja për projekte të tilla u vlerësua si kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e një sektori energjetik më të qëndrueshëm dhe të përshtatur me zhvillimet e reja.

Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e dytë, përkatësisht në konsultimin me palët e interesit për Koncept-Dokumentin. Komentet dhe rekomandimet e pranuara gjatë këtij procesi do të shqyrtohen dhe merren parasysh gjatë finalizimit të Koncept-Dokumentit dhe, në vijim, gjatë hartimit të Rregullës së amendamentuar, me synim forcimin e mëtejshëm të kornizës rregullative për vetë-konsumatorët dhe krijimin e kushteve të qëndrueshme dhe të parashikueshme për zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë. Pas përfundimit të këtyre fazave, drafti i Rregullës së amendamentuar do t’i nënshtrohet konsultimit të mëtejshëm publik, përpara finalizimit dhe miratimit të saj, në përputhje me procedurat përkatëse rregullative.