Skip to main content
05.07.2023

KOMUNIKATË

Seanca e gjashtë (VI) e Bordit të ZRRE

 

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka mbajtur sot seancën e tij të VI-të me radhe për këtë vit.

Në këtë seancë, Bordi ka miratuar kërkesat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT) për aprovimin e  Bilancit Afatgjatë të Energjisë Elektrike 2023-2032 si dhe ka dhënë pëlqimin për Planin e Adekuacisë së Gjenerimit. Bilanci Afatgjatë i Energjisë Elektrike paraqet parashikimet 10 vjeçare të bilancit në mes të prodhimit dhe kërkesës për energji elektrike, si dhe projeksionet e nevojave për import dhe eksport të energjisë elektrike duke përfshirë edhe vlerësimin e emetimit te ndotësve gjatë procesit të prodhimit të energjisë elektrike.

Në këtë seancë, Bordi ka miratuar Rregullën për Përgatitjen dhe Vlerësimin e Planeve Zhvillimore dhe Investive të Operatorëve të Sistemeve në Sektorin e Energjisë. Me miratimin e  kësaj Rregulle është bërë definimi i metodologjisë dhe renditja e hapave për  përgatitjen dhe vlerësimin e Planeve Zhvillimore dhe Investive të Operatorëve të Sistemeve në sektorin e energjisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe vlerësimin e Projekteve Kapitale që do të jenë pjesë e Planeve Zhvillimore dhe Investive, si dhe përcaktimi i metodologjisë për vlerësimin rregullator të Planeve Zhvillimore dhe Investive.

 

Po ashtu në këtë seancë, Bordi ka miratuar Rregullën për Sistemin e Mbyllur të Shpërndarjes. Me miratimin e kësaj Rregulle është bërë përcaktimi i kritereve dhe kushteve për t'u implementuar Sistemi i Mbyllur i Shpërndarjes, përkatësisht përcaktimi i  procedurave të aplikimit dhe licencimin të Operatorit të Sistemit të Mbyllur të Shpërndarjes, si dhe të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet e operatorit dhe konsumatorëve të Sistemit të Mbyllur të Shpërndarjes.

Bordi ka miratuar kërkesat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) për aprovimin e planit investim një vjeçar dhe planin për reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org .