Skip to main content
26.05.2022

KOMUNIKATË

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), sot priti në takim përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë

 

ZRrE sot ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane në Kosovë, të cilët, për së afërmi u njoftuan rreth zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë, dhe në veçanti, u diskutua rreth situatës së krijuar si pasojë e procesit gjyqësor, në të cilin proces, me një vendim për masë të përkohshme, është pezulluar ekzekutimi i vendimit të ZRrE-së për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

ZRrE i njoftoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për paqartësitë e implementimit si edhe për vështirësimin e mëtejmë të situatës tashmë të rënduar të sektorit të energjisë në vend. Ndër të tjera diskutime, u elaboruan edhe veprimet procedurale të ndërmarra në këtë proces nga ZRrE, e së fundmi me parashtrimin e mjetit të jashtëzakonshëm juridik, krahas kërkesës për Mendim Juridik, në Gjykatën Supreme të Kosovës, si edhe me kërkesat tjera për sqarime ligjore tek organet kompetente të drejtësisë lidhur me implementimin e vendimit gjyqësor.

ZRrE në fund falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ZRrE-së si dhe sektorit të energjisë në përgjithësi dhe u zotua që të bashkëpunojë me të gjithë akterët relevantë të sektorit të energjisë, në drejtim të arritjes së një zgjidhje sa më të pranueshme për të gjitha palët.