KOMUNIKATË PËR MEDIA
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim njoftues me Zv. Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Böttcher. Ky takim kishte për qëllim të thellojë më tej bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet ZRRE-së dhe ambasadës gjermane në Prishtinë.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, me fokus të veçantë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë. U theksuan benefitet afatgjata që sjell ky proces për konsumatorët, përfshirë rritjen e efikasitetit, përmirësimin e shërbimeve dhe mundësinë e zgjedhjes së furnizuesve. Po ashtu, u diskutua edhe rëndësia e liberalizimit të tregut për tërheqjen e investimeve në sektorin energjetik, çka do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe energjetik të qëndrueshëm të vendit.
ZRRE ka vlerësuar gjithmonë bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe shtetet mike të Kosovës, duke theksuar se Gjermania ka kontribuar në zhvillimin e sektorit të energjisë përmes mbështetjes teknike, ekspertizës dhe projekteve të ndryshme. Ky takim ishte një mundësi për të diskutuar mbi bashkëpunimet e mëtejme dhe për të rritur koordinimin në interes të zhvillimit të qëndrueshëm energjetik në Kosovë.
- Log in to post comments