Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së merr pjesë në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano- Kosovare
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Z. Ymer Fejzullahu dje mori pjesë në një takim konstruktiv me përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare. Ky bashkëbisedim kishte për qëllim shqyrtimin e kërkesave dhe sfidave të bizneseve në sektorin e energjisë, me një theks të veçantë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.
Gjatë diskutimeve, Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së theksoi rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e konsideruar këtë proces si një hap të domosdoshëm për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e mundësive më të mira për konsumatorët dhe bizneset. Ai theksoi se liberalizimi është një komponentë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit të energjisë në Kosovë dhe për krijimin e një ambienti të favorshëm për investime.
Kryesuesi i Bordit gjithashtu theksoi angazhimin e ZRRE-së për të dëgjuar dhe marrë seriozisht të gjitha shqetësimet e ngritura nga bizneset. Ai siguroi pjesëmarrësit se ZRRE-ja është duke punuar me përkushtim për adresimin e këtyre shqetësimeve, me qëllim që të sigurohet se proceset rregullative janë të kujdesshme dhe efektive. ZRRE-ja ka angazhim të plotë për të krijuar një ambient që mbështet bizneset dhe zhvillimin e sektorit të energjisë.
Në një dialog të hapur dhe të drejtpërdrejtë, Kryesuesi u përgjigj në mënyrë të detajuar pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve. Diskutimi ishte konstruktiv dhe përfshiu një vëmendje të veçantë ndaj nevojës për një bashkëpunim të ngushtë mes ZRRE-së dhe sektorit privat, me qëllim sigurimin e një tregu energjetik të hapur, konkurrues dhe të qëndrueshëm, si dhe për të siguruar një komunikim të vazhdueshëm dhe të efektshëm me bizneset.
- Log in to post comments