Skip to main content
30.08.2022

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) më datë 9 gusht 2022 ka pranuar aplikimin për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU). Ndër të tjera, në kërkesën e saj FSHU  thekson se në mungesë të rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shumës prej 32.8milion eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 është tejkaluar pragu i materialitetit prej 5% siç përcaktohet në Rregullën e të Hyrave të FSHU-së, duke mundësuar kështu hapjen e shqyrtimit të jashtëzakonshëm.

ZRRE në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Më datë 24 gusht 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj me anë të vendimit nr. 21/94 të datës 24.08.2022 në bazë të interesit publik dhe interesit të përgjithshëm ekonomik, me qëllim të sigurimit të furnizimit të rregullt me energji elektrike dhe në mënyrë që të mbahet përballueshmëria e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal, kompanisë që vepron si Furnizues i Shërbimit Publik (FShU) i ka vendosur obligimi shtesë i shërbimit publik. Ndërsa, me anë të vendimit nr. 23/94 ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë për ndarje buxhetore në shumë prej 41 milion euro lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike për zbatimin e Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

Me vendimin e  Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.21/94 të datës 24.08.2022, për ndarjen e subvencionit kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejt të Shërbimit Universal.

ZRRE edhe gjatë muajve në vazhdim, do të monitoroj nga afër gjendjen e kostove të sektorit të rregulluar të energjisë elektrike dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në përputhje me mandatin mandatit e saj ligjor.