Skip to main content

Shpjegimi i faturës së energjisë elektrike

ZRRE bazuar ne Ligjin për Rregullatorin e Energjisë ka kompetence për përcaktimin e tarifave për të gjithë konsumatorët shtëpiak. Bazuar në strukturën e tanishme tarifore konsumatorët shtëpiak i takojnë grupit tarifore 5 (4/02) dhe 6 (4/01).

Në faturën e lëshuar nga furnizuesi i juaj duhet të përcaktohet saktë shpenzimi i përgjithshëm mujor si dhe koha tarifore kur është bërë shpenzimi, pra tarifa e lartë dhe tarifa e ulët, si dhe e njëjta te faturohet bazuar në çmim morën e cila është aprovuar nga ZRRE.

Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00h - 22:00h gjatë periudhës 1 tetor deri me 31 mars, kurse prej orës 08:00h - 23:00h gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.

Faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar zbatohet për çdo periudhë të faturimit duke u bazuar në të dhënat e lexuara nga njehsori elektrik dhe të mbledhura nga Furnizuesi ose Operatori i Sistemit. Furnizuesi ka për obligim që konsumatorit t’i dërgoj faturën mujore e cila do të përmban detajet e konsumit, çmimet, si dhe afatet dhe kushtet e pagesës.

Struktura tarifore e energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiak përbëhet prej këtyre komponentëve:

  • A1 – paraqet gjendjen e shpenzimit të energjisë elektrike në tarifën e lartë (ditë) - TL;
  • A2 – paraqet gjendjen e shpenzimit të energjisë elektrike në tarifën e ulët (natë) - TU;
  • Çmimet e energjisë elektrike për tarifë e lartë dhe të ulët;
  • Tarifën fikse