Skip to main content
17.07.2023

Komunikatë

Sot, më 17.07.2023, Zyra e Rregullatorit për Energji e Republikës së Kosovës dhe Komisioni Rregullativ për Energji nga Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për njohjen reciproke të licencave të tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm: Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli, Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi znj. Jeta Statovci, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Bordi i Regullatorit të Energjisë nga Maqedonia e Veriut dhe pjesëmarrës nga komuniteti i energjisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nënshkrimi i Memorandumit të  Mirëkuptimit dëshmon një moment shumë te rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për rritjen e sigurisë së energjisë, efikasitetin e tregut dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Bashkëpunimi i ndërsjelltë ndërmjet Repubilkës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është një hap drejt integrimit të të dy vendeve në tregun e energjisë të Bashkimit Evropian.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje do të hapen dyert për mundësi të reja për furnizuesit dhe tregtarët e energjisë elektrike si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Duke hequr barrierat e panevojshme dhe duke thjeshtësuar proceset administrative, bizneset do të fuqizohen që të operojnë në mënyrë më efikase, të zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike të të dyja vendeve.

Rezultatet nga ngjarja e sotme pritet të përmirësojnë fluksin e energjisë elektrike përtej kufijve tanë, por gjithashtu do të promovojnë konkurrencë efektive, do të inkurajojnë investimet dhe do të forcojnë rritjen ekonomike. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dy vendet tona për të forcuar sigurinë tonë energjetike dhe për të diversifikuar burimet tona të energjisë.

Ky takim u organizua nga Zyra e Rregullatorit për Rregullatorit për Energji me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar –USAID.