Skip to main content
14.05.2025

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Më 12.05.2025, në ambientet e Komisionit Rregullator për Energji të Maqedonisë së Veriut, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) zhvilloi një takim informues me furnizuesit e energjisë elektrike që operojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i operatorëve të tregut mbi ecurinë e procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e ZRRE-së prezantuan një pasqyrë të detajuar të strukturës dhe funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, duke u ndalur veçanërisht në aspektet rregullative, mundësitë për hyrje në treg dhe përfitimet që ofron procesi i liberalizimit të tregut të energjisë.

Takimi u vlerësua si tejet konstruktiv, me pjesëmarrje aktive të të gjithë të pranishmëve, të cilët ndanë pikëpamjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tyre për rrjedhën e mëtejme të këtij procesi.

ZRRE shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Komisionit Rregullator për Energji të Maqedonisë së Veriut për mikpritjen dhe mbështetjen në organizimin e këtij takimi, si dhe ndaj të gjithë pjesëmarrësve për angazhimin dhe interesimin e treguar.

ZRRE riafirmon përkushtimin e saj për të vazhduar me zbatimin e një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në mënyrë që liberalizimi i tregut të energjisë të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për konsumatorët dhe të gjithë sektorin energjetik në Kosovë.