KOMUNIKATË PËR MEDIA
Dëgjim Publik për Koncept Dokumentin e Mekanizmit Mbështetës për Energjinë e Ripërtërishme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), mbajti sot takimin konsultues mbi Koncept Dokumentin për Mekanizmin Mbështetës të Energjisë së Ripërtërishme, i cili ishte i hapur për konsultim publik nga 18 gusht deri më 5 shtator 2025.
Mekanizmi Mbështetës bazohet në Ligjin Nr. 08/L-258 për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë, me synim krijimin e një kornize të qëndrueshme mbështetjeje për burimet e ripërtërishme të energjisë (BRE), duke siguruar transparencë dhe shmangur shtrembërimet në treg.
Dokumenti përcakton parimet kryesore për hartimin e rregullës së re, ku një ndër elementet kyçe është funksionimi i Operatorit për Energji të Ripërtërishme (OER), rol i cili do të ushtrohet nga KOSTT, nën licencën e Operatorit të Tregut, me përgjegjësi për menaxhimin e Fondit Mbështetës për Energjinë e Ripërtërishme (Fondi për BRE) dhe përfaqësimin si palë kontraktuese ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtërishme.
Njëkohësisht, dokumenti definon mënyrën e financimit të Fondit për BRE përmes Obligimit për Energjinë e Ripërtërishme (OER), si dhe procedurat për llogaritjen dhe rishikimin e tij nga ZRrE, duke u harmonizuar me procesin e rregullt të rishikimit tarifor dhe me mundësinë e rishikimeve të jashtëzakonshme në rrethana të veçanta.
Gjatë takimit, ZRRE prezantoi gjetjet dhe propozimet e dokumentit si dhe komentet e pranuara gjatë procesit të konsultimit publik. Ky takim mblodhi së bashku akterë të sektorit të energjisë dhe më gjerë, përfshirë përfaqësues nga aktivitetet e furnizimit dhe prodhimit të energjisë, ndërmarrjet e licencuara për shërbime të transmetimit, tregut dhe shpërndarjes, si dhe përfaqësues të bankave dhe akterë të tjerë relevantë, me qëllim që procesi i finalizimit të rregullës të bazohet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe praktikë rregullatore transparente.
ZRRE shpreh falënderim të veçantë për BERZH-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin në avancimin e sektorit të energjisë në Kosovë.
- Log in to post comments