Skip to main content
10.01.2025

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), njëherësh edhe President i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), z. Ymer Fejzullahu, ka kryesuar takimin e 62-të të Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë, i cili u mbajt më 30 shtator 2025 në Athinë. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe anëtari i Bordit të ZRRE-së, z. Gani Buçaj.  Ky takim mblodhi përfaqësues të rregullatorëve të energjisë nga vendet kontraktuese dhe palët pjesëmarrëse të Komunitetit të Energjisë, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e çështjeve kyçe në fushën e energjisë.

Diskutimet u përqendruan kryesisht në zhvillimet rregullative në palët kontraktuese si dhe në zhvillimet e fundit të Komunitetit të Energjisë që lidhen me reformat e tregut dhe procesin e integrimit rajonal. Një pjesë e rëndësishme e agjendës iu kushtua edhe zhvillimit të mekanizmave rajonalë për menaxhimin e kapaciteteve të transmetimit, të cilët janë thelbësorë për garantimin e sigurisë së furnizimit dhe rritjen e efikasitetit të tregut rajonal të energjisë elektrike.

Në kuadër të takimit u mbajtën gjithashtu diskutime brenda grupeve punuese të ECRB-së, përfshirë atë për Konsumatorët dhe Tregjet me Pakicë, për Energjinë Elektrike, për Gazin si dhe për zbatimin e rregullores REMIT. Këto grupe punuese ofruan një pasqyrë të gjerë mbi sfidat dhe arritjet në secilin sektor, duke nxitur një qasje gjithëpërfshirëse për ndërtimin e një tregu funksional dhe të qëndrueshëm.

Në fjalën e tij, z. Fejzullahu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet palëve kontraktuese, si një parakusht i domosdoshëm për krijimin e një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar dhe se përfshirja aktive e rregullatorëve në proceset rajonale është thelbësore për të mundësuar përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane dhe për të garantuar përfitime të drejtpërdrejta për konsumatorët.