Skip to main content
23.10.2025

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), z. Ymer Fejzullahu, ka marrë pjesë në takimin e rregullt të Kryesuesve dhe të anëtarëve të Bordit të Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë (Energy Regulators Regional Association – ERRA). Ky takim mblodhi përfaqësues të rregullatorëve të energjisë nga vendet anëtare të rregullta dhe të asociuara të ERRA-s, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e çështjeve kyçe në fushën e energjisë.

Diskutimet u përqendruan kryesisht në zhvillimet rregullative të shteteve anëtare dhe të asociuara të ERRA-s e që lidhen me reformat e tregut të energjisë dhe çmimet e energjisë elektrike në përgjithësi, por me fokus të veçantë çmimet e energjisë elektrike të konsumatorëve familjarë. Një pjesë e rëndësishme e agjendës së takimit iu kushtua edhe pavarësisë së rregullatorëve, si në aspektin e vendimmarrjes por edhe në aspektin financiar si një nga elementet më të rëndësishme dhe thelbësore të funksionimit të mirë të sektorit të energjisë.

Në kuadër të takimit u diskutuan edhe aktivitetet brenda komiteteve punuese të ERRA-s, përfshirë atë për konsumatorët, për energjinë elektrike, për tranzicionin e energjisë, si dhe për gazin. Këto komitete ofruan një pasqyrë të gjerë mbi sfidat dhe arritjet në secilin sektor, duke nxitur një qasje gjithëpërfshirëse për ndërtimin e një tregu funksional dhe të qëndrueshëm.

Në fund u diskutua edhe rëndësia e bashkëpunimit edhe më të ngushtë ndërmjet shteteve anëtare dhe të asociuara të ERRA-s, si një parakusht i domosdoshëm për krijimin e një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar, me praktikat më të mira evropiane dhe botërore.