Skip to main content
16.06.2025

KOMUNIKATË PËR SHTYP

ZRRE-ja zhvilloi një takim konstruktiv dhe bashkëpunues me përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Kosovës, ku u diskutuan gjerësisht shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen bizneset në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e bizneseve ngritën shqetësime të rëndësishme lidhur me koston e energjisë dhe periudhën e shkurtër të paraparë për këtë proces. ZRRE-ja shprehu mirëkuptim dhe solidaritet ndaj këtyre shqetësimeve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të një dialogu të hapur dhe bashkëpunues për të lehtësuar procesin e liberalizimit dhe për të siguruar një kalim të drejtë dhe të qëndrueshëm për të gjitha palët e përfshira.

ZRRE-ja ritheksoi përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha palët e interesit dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që procesi i liberalizimit të jetë sa më transparent dhe i drejtë, duke siguruar një ambient të favorshëm për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin energjetik në Kosovë.

Përfundimisht, ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet ZRRE-së dhe komunitetit të biznesit, duke garantuar që shqetësimet dhe kërkesat e tyre të trajtohen me seriozitet dhe përkushtim. Po ashtu, komuniteti i biznesit njoftoi se këto shqetësime do të adresohen edhe tek organet qeveritare të Republikës së Kosovës, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të përshtatshme dhe lehtësimit të sfidave që kanë shfaqur bizneset gjatë këtij procesi.