KOMUNIKATË PËR SHTYP
Takim me furnizuesit e licencuar për energji elektrike - Tregu i liberalizuar gati të fillojë më 1 qershor
Sot, me ftesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), është mbajtur një takim gjithëpërfshirës me të gjithë furnizuesit e licencuar për furnizim me energji elektrike në Republikën e Kosovës. Në takim morën pjesë edhe furnizues të licencuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke reflektuar njohjen reciproke të licencave ndërmjet vendeve të rajonit.
z. Ymer Fejazullahu, Kryesues I Bordit të ZRRE-së, theksoi rëndësinë e transparencës dhe informimit të saktë të konsumatorëve gjatë këtij tranzicioni. Ai nënvizoi se roli i rregullatorit do të mbetet kyç në monitorimin dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.
Në këtë takim mori pjesë edhe Ministrja e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli, e cila theksoi rëndësinë e përgatitjeve të përbashkëta për një kalim të suksesshëm drejt tregut të liberalizuar të energjisë elektrike.
Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, ku furnizuesit e licencuar shprehën gatishmërinë për të ofruar ofertat e tyre për konsumatorët që shprehin interes për furnizim në tregun e lirë. Po ashtu, ata u zotuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm me ZRRE-në dhe për ofrimin e informacioneve të nevojshme për konsumatorët që kërkojnë sqarime lidhur me kalimin në tregun e liberalizuar.
Në përfundim të takimit, u konstatua se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, i cili do të nisë zyrtarisht më 1 qershor 2025.
ZRRE do të vazhdojë të mbështesë procesin e liberalizimit duke garantuar një treg të hapur, konkurrues dhe në shërbim të konsumatorëve.
- Log in to post comments