Skip to main content
23.05.2025

KOMUNIKATË PËR SHTYP

Takim koordinues për hapat përfundimtarë drejt liberalizimit të tregut të energjisë

Sot, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar një takim  me Kryeshefat Ekzekutiv të ndërmarrjeve të licencuara në sektorin e energjisë: Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

Në këtë takim janë diskutuar hapat përfundimtarë drejt liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, me theks të veçantë në koordinimin dhe zbatimin teknik të këtij procesi.

Kryeshefat Ekzekutiv të ndërmarrjeve pjesëmarrëse raportuan para Bordit të ZRRE-së lidhur me të gjitha përgatitjet e ndërmarra për të siguruar që kalimi i konsumatorëve në tregun e hapur të ndodhë në mënyrë të sigurt dhe pa pengesa.

Gjatë diskutimeve, palët u ndalën edhe në çështje tjera me rëndësi strategjike për funksionimin e tregut të energjisë në përputhje me parimet e konkurrencës, transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

ZRRE mbetet e përkushtuar për të siguruar një proces të rregullt dhe të mirëmenaxhuar të liberalizimit, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha palët e përfshira në sektorin energjetik.