Skip to main content
09.09.2025

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Më 02.09.2025, Anëtarja e stafit të ZRRE-së Ilirjana Tolaj ka qenë pjesëmarrëse në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, në panelin me temë: “Rajoni larg të rinjve: koha për ndryshim”. Paneli u zhvillua në prani të figurave të larta nga rajoni, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe ministrat përkatës të punëve të jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtij paneli, u diskutua për rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset vendimmarrëse dhe ndërtimin e së ardhmes së qëndrueshme të rajonit, si dhe për sfidat e shumta me të cilat përballen ata. U ndanë gjithashtu përvoja të ndryshme nga vendet e rajonit mbi politikat dhe iniciativat e ndërmarra për të mbështetur rininë, si hapa konkretë drejt fuqizimit të brezit të ri.

Në kuadër të panelit, znj. Tolaj prezantoi edhe hulumtimin e saj: "Tejkalimi i sfidave për pjesëmarrjen e femrave në fushat STEM në Kosovë", ku adresoi barrierat strukturore dhe kulturore që pengojnë përfshirjen e vajzave dhe grave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), si dhe rekomandimet konkrete për rritjen e përfaqësimit të tyre në këto fusha. Ky hulumtim është kryer në kuadër të programit WeLead – Skema e BE-së për profesionistët e rinj në Ballkanin Përëndimor.

ZRRE mbështet fuqishëm avancimin e të rinjve dhe barazinë gjinore në sektorët profesionalë dhe institucionalë në Kosovë.