Skip to main content
26.03.2025

Takim mes Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së dhe përfaqësuesve të Aleancës Kosovare të Bizneseve

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Z. Ymer Fejzullahu dje, më 25 mars 2025, mori pjesë në një takim konstruktiv me përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Bizneseve. Ky bashkëbisedim kishte për qëllim shqyrtimin e kërkesave dhe sfidave të bizneseve në sektorin e energjisë, me një theks të veçantë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.

Gjatë diskutimeve, Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së theksoi rëndësinë e liberalizimit të tregut të energjisë, duke e konsideruar këtë proces si një hap të domosdoshëm për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e mundësive më të mira për konsumatorët dhe bizneset. Ai theksoi se liberalizimi është një komponentë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të sektorit të energjisë në Kosovë dhe për krijimin e një ambienti të favorshëm për investime.

Kryesuesi i Bordit u angazhua gjithashtu në një dialog të hapur, duke u përgjigjur në mënyrë të detajuar  pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesit e bizneseve të pranishëm. Diskutimi ishte konstruktiv dhe përfshiu një vëmendje të veçantë ndaj nevojës për një bashkëpunim të ngushtë mes ZRRE-së dhe sektorit privat, me qëllim sigurimin e një tregu energjetik të hapur, konkurrues dhe të qëndrueshëm.

Ky takim reflekton angazhimin e ZRRE-së për të mbështetur zhvillimin e sektorit energjetik dhe hapjen e tregut te energjisë.