Skip to main content
06.10.2025

ZRRE merr pjesë në takimin mbi Integrimin Rajonal të Tregut të Energjisë Elektrike

Më 3 tetor 2025, stafi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) mori pjesë në një takim të rëndësishëm të organizuar nga ECRB Electricity Working Group (EWG), i cili mblodhi së bashku përfaqësues të rregullatorëve dhe aktorëve kryesorë të tregut të energjisë nga vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë dhe Bashkimit Evropian. Ky takim u zhvillua në mënyrë virtuale dhe ofroi një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e përvojave, sfidave dhe planeve për të ardhmen e integrimit të tregjeve të energjisë.

Fokusi kryesor i diskutimeve ishte vendosur mbi çështje që prekin drejtpërdrejt ecurinë e harmonizimit të tregut rajonal me atë evropian, si:

  • Rikonfigurimi i Kalkulimit Regjional të Kapaciteteve (Capacity Calcualtion Regional ), si dhe përmbushja e objektivit të 70% të kapaciteteve të alokuara për tregtim ndërkufitar;
  • Roli i NEMO-ve (Operatorëve të Nominuar të Tregut të Energjisë Elektrike) në procesin e bashkimit të tregut, sidomos pas miratimit të Projekti të Zbatimit të MCO-ve (Market Coupling Operator Implementation Project), i cili përcakton hapat e bashkëpunimit dhe qeverisjes së përbashkët të tregut;
  • Detyrat dhe përgjegjësitë e NEMO-ve dhe autoriteteve rregullatore në kuadër të modeleve monopolistike dhe konkurruese, si dhe sfidat e përshtatjes së tyre me realitetin rajonal;
  • Prioritetet e para për Rregullatorët e Komunitetit të Energjisë në drejtim të bashkëpunimit rajonal, me një vëmendje të veçantë ndaj CCR IT-ME dhe statusit të aktualizuar të CCM për afatet DAM (Day-Ahead Market) dhe IDM (Intra-Day Market).

Përfaqësuesit e ZRRE u angazhuan aktivisht në diskutime, duke ngritur çështje të rëndësishme për zbatimin praktik të CCR-ve në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për mënyrën sesi ky proces ndikon në rritjen e transparencës, konkurrencës dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike. U theksua se Kosova po ecën në një rrugë të qëndrueshme drejt integrimit në tregjet evropiane, duke shënuar progres të prekshëm në përafrimin institucional dhe teknik.

Megjithatë, një ndër theksimet kryesore mbetet fakti se transpozimi i plotë i legjislacionit evropian në atë vendor është një prioritet madhor për Kosovën, pasi vetëm përmes harmonizimit të kornizës ligjore e rregullatore mund të garantohet një pjesëmarrje e barabartë dhe e plotë në tregjet e integruara evropiane të energjisë.