Tregu i Energjisë Elektrike
Sistemi i energjisë elektrike në Republikën e Kosovës është i përbërë nga gjenerimi, transmetimi, shpërndarja e energjisë elektrike, konsumatorët e parregulluar, si dhe konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal. Po ashtu pjesëmarrësit në tregun e energjisë elektrike janë edhe furnizuesit dhe tregtarët me shumicë.
Gjenerimi - është kryesisht i bazuar në termocentrale me linjit (TC A dhe TC B KEK) dhe HC Ujmani në pronësi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe HC dhe BRE tjera në pronësi private.
Transmetimi - KOSTT - është operator i vetëm i transmetimit dhe tregut dhe është 100 % në pronësi të Kuvendit të Kosovës. Operon me dy licenca të ndara, licencë për operim të sistemit të transmetimit dhe licencë për operim të tregut.
Operatori i tregut (KOSTT) ka përgjegjësi organizimin dhe zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit ka përgjegjësi transmetimin e energjisë elektrike, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të transmetimit, si dhe balancimin e sistemit.
Operatori i shpërndarjes - KEDS - është operatori i vetëm i shpërndarjes dhe është në pronësi private. Ky operator është përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të shpërndarjes dhe menaxhimin e gjeneratorëve të kyçur në sistemin e shpërndarjes.
Furnizimi – Aktualisht KESCO është furnizues që ka licencë për furnizim me energji elektrike, duke përfshirë Obligimin e Shërbimit Publik të përcaktuar nga Rregullatori për të furnizuar konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal. Përveç kësaj Rregullatori i ka caktuar edhe obligimin e furnizuesit të mundësisë së fundit. Furnizues tjerë – deri më tani janë të licencuar 7 furnizues të energjisë elektrike, të cilët janë në pronësi private por ende nuk kanë filluar me operim komercial.
Sistemi elektroenergjetik i Kosovës është i dizajnuar kryesisht për të prodhuar energji elektrike bazë, e cila bazohet në linjit si lëndë e parë, por jo edhe për mbulimin e ngarkesave maksimale dhe balancimin e sistemit i cili mbetet sfidë e madhe për të gjithë pjesëmarrësit në sektor. Kosova ka kapacitete të instaluara prodhuese prej 1,431 MW, përfshirë edhe kapacitetet gjeneruese nga BRE, megjithatë kapaciteti operativ konsiderohet rreth 1,099 MW, prej të cilave termocentralet (TC) me linjit përbëjnë rreth 87.36 %, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga HC Ujmani me 2.91 %, centralin me erë “Kitka” (Air Energy) me 2.95 % dhe BRE tjera (hidrocentralet, panelet solare dhe centralet me erë) me 6.78 %. Këto kapacitete në periudhën më të madhe do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën, si edhe për të eksportuar, por për shkak të vjetërsisë së termocentraleve dhe jofleksibilitetit të mjaftueshëm për t’iu përshtatur kërkesës në periudha të ndryshme e sidomos në kohën e pikut, atëherë nevojiten importe por ndonjëherë edhe eksporte për balancimin e sistemit. Futja e gjeneratorëve nga BRE-të rritë kapacitetin operativ të gjenerimit, por në shumicën e rasteve ato janë të pa parashikueshme dhe janë në regjimin e prioritetit të dispeçimit, prandaj nuk kanë ndikim në përmirësimin e balancimit të sistemit energjetik, madje ndonjëherë i rrisin jobalancet.