Skip to main content
16.02.2023

KOMUNIKATË

Publikimi i Raporteve Konsultative të Shqyrtimit Periodik për Periudhën e Tretë Rregullative

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është në procesin e Shqyrtimit Periodik për Periudhën e Tretë Rregullative (PRR 3), e cila përfshinë përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) nga data 1 prill 2023 deri 31 mars 2028. Shqyrtimi Periodik do të përcaktojë të Hyrat e Lejuara Maksimale për Operatorin e Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut (OST/OT-KOSTT sh.a) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-KEDS sh.a). Po ashtu ZRRE është në procesin e Përshtatjes së Rregullt të të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).  Gjatë këtij shqyrtimi ZRRE ka trajtuar edhe kërkesat nga palët për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm, ndikimi i të cilave do të merret për bazë gjatë këtij procesi.   

Dy vitet e fundit janë karakterizuar me çmime jashtëzakonisht të larta dhe me luhatje të paprecedent në tregjet e energjisë elektrike. Kriza global e energjisë ka ndikuar në rritje të ndjeshme të kostos së blerjes së energjisë me shumicë.

ZRRE beson se konsultimi publik është në qendër të politikave efektive rregullatore. Lidhur me këtë ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara, konsumatorëve dhe palëve tjera të interesit mundësinë që të shqyrtojnë të dhënat dhe qëndrimet e paraqitura në Raporte Konsultative, dhe të komentojnë ato, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh. Raportet për konsultim publik në të cilat palët mund të ofrojnë komentet e tyre janë:

  1. Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) në kuadër të periudhës së tretë Rregullative të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe
  2. Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) në kuadër të periudhës së tretë Rregullative  të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe
  3. Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal,

Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t'i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org, jo më vonë se 3 mars 2023, në ora 16:00h.

Komentet përmes korrierit mund të dërgohen në adresën: Zyra e Rregullatorit për Energji, Departamenti për Tarifa dhe Çmime, Rr.Bekim Fehmiu (ish Ndërtesa e Fazitës), kati:2 Prishtinë, 10000, Kosovë.