Skip to main content
takim me Rrjetin e shitesve me pakice - hapja e tregut

Rregullatori po vazhdon takimet informuese me konsumatorët që pritet të dalin e në tregun e hapur të energjisë elektrike

Përfaqësues të Rregullatorit për Energji, po vazhdojnë të takohen me grupe të konsumatorëve për t’i informuar më për së afërmi me veprimet konkrete që nevojitet të ndërmerren në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe afatin e përcaktuara nga Rregullatori i energjisë për daljen e një grupi të konsumatorëve në tregun e lirë.

Siç ju është sqaruar përfaqësuesve të Rrjetit të Shitësve me Pakicë, të cilët ishin sot në takim me ZRRE, bazuar në legjislacionin në fuqi, të drejtën e furnizimit me shërbim universal, ku edhe për një kohë do të jenë tarifat e rregulluara, e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe jo-familjar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose që kanë më pak se pesëdhjetë (50) punonjës. Ndërsa konsumatorët jo shtëpiak të kyçur në nivelin e tensionit 35 kV dhe nivelin e tensionit 10 kV, të cilët nuk i plotësojnë kriteret e lartpërmendura do t’i nënshtrohen kushteve dhe çmimeve të tregut për furnizim me energji elektrike më së largu deri më 31 mars 2021.

Përfaqësuesit  e këtij grupi të konsumatorëve kanë potencuar se nuk janë kundër hapjes së tregut dhe e kuptojnë rendësin e tij, por kanë shfaqur brengat e tyre në lidhje me situatën në të cilën ata ndodhen dhe për shkak të pandemisë por edhe për shkak të ofertuesve në tregun e furnizimit me energji të cilët ende nuk janë funksionale.    

Përfaqësuesit e Rregullatorit, ashtu si edhe në takimet e tjera, kanë sqaruar funksionimin e sektorit të energjisë sipas legjislacionit në fuqi dhe rolet e akterëve të përfshirë në sektor, duke theksuar rolin e Rregullatorit i cili do të vazhdoj të mbetet i njëjtë në përkujdesin ndaj konsumatorëve dhe në monitorimin e funksionimit të tregut të energjisë. Duke i siguruar kështu konsumatorët se Rregullatori do të ushtroj të gjithë autoritetin e tij për të siguruar se po respektohen rregullat e tregut dhe konsumatorëve po ju ofrohen shërbime të duhura pa diskriminim.

Rregullatori, përmes këtyre takimeve po ashtu po inkurajon konsumatorët që të fillojnë procedurat për të gjetur furnizuesit, të cilët ofrojnë çmimet të pa rregulluara, dhe që janë të licencuar nga ZRRE për furnizim me energji elektrike. Kontaktet e operatorëve të licencuar u janë dërguar të gjithë konsumatorëve po ashtu janë publik në regjistrin e publikuar në faqen zyrtare të ZRRE (https://www.ero-ks.org/zrre/sq/rexhistri-i-te-licencuarve-furnizim-me-energji-elektrike ).